Përmbatja e Dokumentit të Strategjisë së Zhvillimit të Territorit të Bashkisë Pogradec është mbështetur në ligjin nr. 107/2014, datë 31.07.2014 "Për Planifikimin dhe Zhvillimin e Territorit" i ndryshuar dhe aktet nënligjore të tij. Gjithashtu për shkak të përfshirjes të çështjeve të sektorëve të ndryshëm në dokument, përmbajtja e tij bazohet edhe në Dokumente strategjike Kombëtare, sektorialë, ligje dhe akte nënligjore të ndryshme.
Struktura e Dokumentit të Strategjisë se Zhvillimit të Territorit është mbështetur në përcaktimet ligjore për përmbajtjen e dokumenteve të planifikimit dhe përmban disa kapituj kryesorë si: Gjendja ekzistuese dhe Problematikat e territorit, Vizioni i Bashkisë Pogradec, Plani i veprimit dhe Projektet pilot të propozuara.
Në pjesën e parë analizohet një vështrim i përgjithshëm i terriorit të bashkisë, dokumentet e planifikimit ekzistuese në lidhje me bashkinë Pogradec në nivel ndërkombëtar, kombëtar dhe lokal. Gjithashtu në këtë seksion analizohen kushtet fizike dhe mjedisore të territorit. Një fokus të veçantë në këtë seksion ka analizimi i përdorimit të tokës, zhvillimi social dhe ekonomik, zonat e rëndësisë kombëtare si dhe situata financiare. Ky seksion përfundon me një përmbledhje të gjetjeve kryesore si dhe rekomandimet përkatëse.
Pjesa e dytë fokusohet në përcaktimin e vizionit të bashkisë Pogradec dhe drejtimet e zhvillimit të territorit si dhe përcaktimin e objektivave kryesore dhe programet e zhvillimit. Për çdo program zhvillimi janë përcaktuar projektet të cilat orejntojnë konkretisht zhvillimet në territor dhe që në të ardhmen do të kthehen në projekte teknike.
Ky dokument është bazuar në analizat shkencore të hartuara prej grupit të punës dhe duke pasur parasysh idetë dhe nevojat e qytetarëve të shprehura gjatë realizimit të konsultave publike, intervistave të kryera në çdo njësi administrative si dhe anketës të hedhur nga grupi i punës "Për vlerësimin e gjendjes ekzistuese dhe prioritetet e qytetarëve". Të gjithë këta elementë sebashku përfshirë edhe takimet me ekspertët e bashkisë, kanë ndihmuar në paraqitjen e një panorame të plotë të gjendjes ekzistuese të problematikave të territorit dhe marrjen në konsideratë të çdo dëshire dhe nevoje të komunitetit.
Shkarko Dokumentin